Deputetët demokratët të grupit të Alibeajt depozituan këtë të premte në Kuvend projektligjin për lustracionin që parashikon shkarkim nga detyra dhe ndalim për të marrë një funksion politik për 15 vite për funksionarët në regjimin komunist si dhe ish-sigurimsat.
Deputeti, Kreshnik Çollaku, i ftuar në ‘Rtv Ora’ thotë se demokratët janë të vetëdijshëm për mungesën e votave për të kaluar në Kuvend edhe sikur ta votojë dhe grupi i Berishës, por shpreson se socialistët do të konkretizojnë me votë angazhimin publik për hapjen e dosjeve.
Çollaku: Nuk është një punë kot por një punë konstante e PD. Sigurisht nuk i kemi votat për ta kaluar vetëm. Por PS për herë të parë deklaron se është dakord të hapen dosjen e Sigurimit të Shtetit. Pavarësisht motiveve që e bëjnë atë, për ne nuk ka rëndësi. Me votat tona mund të realizohet një fitore që se patëm të plotë prej viteve ’90. Shpresojmë ti qëndrojnë fjalës që kanë thënë. Kanë premtuar se janë të gatshëm të hapin dosjet. Kjo vjen nga PS trashëgimtare e Partisë së Punës pas 32 vitesh.
Në intervistën ai shpjegoi dhe ky ndryshon drafti i tyre me atë të dorëzuar nga kolegu i tij Oerd Bylykbashi.
Çollaku: Nga çfarë na thonë ekspertët, drafti i Bylykbashit është i njëjti me atë të 2008 që u rrëzua nga Kushtetuesja. Drafti ynë përpiqet të gjejë daljet nga ai ngërç kushtetues. Mendojmë se shmang rrezikun e bllokimit të këtij proçesi nga instancat gjyqësore.