Namik Dokle, gazetari, politikani dhe shkrimtari i njohur, ishte sot në qytetin e Burrelit, për të promovuar disa libra të botuar vitet e fundit.
I ftuar nga “Biblioteka Publike “Pjetër Budi” Mat dhe “Qendra shqiptare e studimeve letrare”, ai u prit në një takim të veçantë dhe nga kryebashkiaku Agron Malaj, drejtoresha e bibliotekës Fiqirete Kurti dhe shkrimtari e poeti Behar Gjoka.
Duke e falënderuar që ishte mes poetëve, shkrimtarëve, mësuesve të letërsisë dhe nxënësve të Matit për të bashkëbiseduar rreth romaneve që ai ka shkruar këto vite, kryebashkiaku Malaj, Kurti dhe Gjoka evidentuan vlerat që mbartin librat e tij. Ata e konsideruan Doklen një “disident” për nga mënyra se si ai ka rrëfyer ngjarje e figura të njohura.
Pjesa më interesante e takimit ishte ajo kur nxënës të shkollave të Burrelit do ta “intervistonin” Namik Doklen si gazetar, politikan dhe shkrimtar.
I pyetur se si mund të bëhesh një gazetar i mirë, ai u shpreh se është e rëndësishme të dëgjohen njerëzit e thjeshtë, të mbahen shënime, të jesh realist në ato që shkruan apo thua në media.
“Do të dëshiroje të ishe kryeministër, kryetar kuvendi apo president, nëse të afrohet njëri nga këto poste?-, ishte një tjetër pyetje që do të merrte një përgjigje të drejtpërdrejtë nga Namik Dokle.
-M’i kanë afruar të gjitha këto poste dhe nuk kam pranuar. Kemi dëgjuar të thuhet, ish-deputeti, ish-kryeministri, ish-presidenti, por asnjëherë nuk kemi dëgjuar të thuhet ish-shkrimtari, ndaj i jam përkushtuar gazetarisë dhe librave.

Pyetja e një vajze matjane bëri që Namik Dokle të tregonte diçka që nuk e kishte thënë asnjëherë.
-Cili është momenti më i vështirë në jetën tuaj?
“Momenti më i vështirë në jetën time është rrëmbimi i djalit tim 8-vjeçar në vitin 1996 dhe mbajtja peng për 6 orë në disa tunele në afërsi të Lanës. Unë ndodhesha jashtë Tiranës, në një aktivitet politik të Partisë Socialiste, së bashku me ish-drejtues të kësaj partie. Policia është vënë në lëvizje dhe ka qenë ndihma e një fëmije tjetër që i ka treguar efektivëve të Policisë vendin ku e kishin dërguar djalin”, rrëfeu për herë të parë këtë ngjarje Namik Dokle.
Dokle asokohe ishte një nga figurat qëndrore të PS-së. I pyetur nëse kjo ngjarje ka ndodhur me 3 maj 1996, ditën kur liderët e opozitës u dhunuan keq nga Policia dhe ekstremistë të PD-së në qytetin e Burrelit, ai nuk pranoi ta vijonte këtë bisedë.
Të pranishmit, por edhe shkrimtari Namik Dokle sollën detaje nga romanet “Ditët e lakuriqëve të natës”, “Kolerë në kohë të dashurisë”, “Lulet e skajbotës” dhe “Vajzat e mjegullës”. Rrëfime interesante, të shkruara thjesht, qartë dhe bukur nga Dokle.


