Në një kohë që pedagogët janë në protestë, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi po zhvillojnë një takim me rektorët e Universiteteve në vend, si ato publike dhe jopublike, kjo për të diskutuar mbi rëndësinë e procesit të rankimit të institucioneve të arsimit të lartë.
”Duhet modernizuar sistemi universitar. Unë dua ti falënderoj rektorët se shikojmë hapa shumë inkurajues. Dua të sjell një shifër shumë domethënë të universitetit të Tiranës, i cili e ka rritur numrin e përfituesve nga fondet europiane, nga më pak se 50 përfitues në më shumë se 400 përfitues. Është impakt i drejtpërdrejt i lidershipit të ri të Tiranës, duke bërë që kapaciteti ynë financues për kërkimin shkencor të rritet në mënyrë shumë të ndjeshme”.
Po ashtu Rama ka theksuar edhe se duhet përmbushja e disa standardeve për sa i përket aspektit të qasjes digjitale të universiteteve, jo në procesin mësimdhënës, por në paraqitjen e tyre.
”E thënë me një fjalë, website. Në një vend që, me shumë krenari e them, së fundmi rankohet i 8-ti në Europë dhe i 19-ti në botë për shërbimet publike digjitale. Atëherë, përfshirja e universiteteve në këtë rrjedhë dhe integrimi i universiteteve me këtë sistem, flas nga pikëpamja e kualitetit, besoj se është gjë e thjeshtë për t’u bërë, mjafton që ne të koordinohemi dhe të funksionojmë bashkarisht në këtë drejtim se nuk ka asnjë shkencë të jashtëzakonshme në këtë pikë. Vetëdeklarimi i të dhënave, të matshme dhe cilësore, të dhënat nga pyetësorët, nga algoritmet përpunuese në web apo nga informacionet e mbledhura drejtpërdrejtë, ka të bëjë drejtpërdrejtë me rankimin e universiteteve. Ky është një proces që ne duam ta bëjmë bashkarisht. Nuk duam ta bëjmë në mënyrë të njëanshme, por bashkërisht. Ashtu sikundër, bashkërisht duhet të adresojmë një problem shumë serioz që lidhet me fazën e dytë të reformës”.
Kryeministri shtoi edhe se: “Duhet të jemi të përgatitur dhe duhet të punojmë në një drejtim që, pa i hequr asgjë askujt, të krijojmë kushte që të gjithë të përfitojnë më shumë duke u bërë shumë më tepër tërheqës, qoftë për tregun e brendshëm, qoftë për sistemin e arsimit të lartë europian”.
