Kryeministri Edi Rama sulmoi më herët kreun e sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi, duke e akuzuar se ka punuar për SHIK në 1997 dhe se maskohet si sindikalist për të “importuar zullumin e nongratave e të rublave në hapësirën universitare”.
Pas kësaj deklarate ka reaguar ish-presidenti Ilir Meta, i cili ka dalë në mbështetje të protestës dhe pedagogut Kovaçi.
Me anë të një postimi në Facebook, Meta u shpreh se i duhet dhënë fund denigrimit neokomunist të individëve për të mbuluar faktet që ulërasin fort për gjendjen e mjeruar të universiteteve.
“Zëri i pedagogëve duhet dëgjuar me shumë përulësi. Kërkesat e tyre për paga dinjitoze sa të kolegëve në Kosovë janë të drejta dhe plotësisht të realizueshme. Arroganca dhe shurdhëria e Qeverisë është e papranueshme. Dëgjoni krahasimin e sjellë me dhembje nga Prof.Asc.Dr. i Shkencave të Matematikës i specializuar në Universitetet më të mira të botës, ish-Ambasadorin e shkëlqyer të Shqipërisë në Slloveni, Sandër Kovaçi për të kuptuar revoltën e pedagogëve në mbarë vendin. Solidaritet dhe mbështetje për të dhe të gjithë pedagogët në protestë deri në plotësimin e kërkesave! Mjaft denigrimit neokomunist të individëve për të mbuluar faktet që ulërasin fort për gjendjen e mjeruar të universiteteve!”