Një ndjekje nga policia para mesnatës kanë qenë momentet e fundit të jetës së një 32-vjecari në Tiranë. I riu i identifikuar si Laer Kurti ka humbur jetën në spital pasi shfaqi probleme shëndetësore në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 të kryeqytetit pasi ishte ndaluar nga efektivët për kontroll.
Rreth orës 23:07 të mbrëmjes së djeshme, teksa Policia po patrullonte në rrugën “Riza Cuka” i kanë bërë thirrje për të ndaluar 32-vjeçarit Kurti me qëllim që t’i kontrollonin dokumentet e identifikimit.
Sapo efektivët i kanë kërkuar të riut të paraqesë dokumentet, ai u largua me vrap. Pas kësaj, punonjësit e policisë iu vënë në ndjekje dhe arritën ta ndalojnë 32-vjeçarin në rrugën “Don Bosko” duke e shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 të kryeqytetit.
Por me të mbërritur në ambientet e komisariatit, i riu ka shfaqur probleme shëndetësore, ndërsa është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës, por për shkak se gjendja shëndetësore e të riut ishte shfaqej e rënduar ai është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës ku edhe ka ndërruar jetë.
Për këtë ngjarje, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në drejtimin e Prokurorisë kanë nisur hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa janë duke u kryer ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes.
