Pak ditë kanë kaluar nga ngjarja tragjike e Klosit. Tre qytetarë u vranë dhe dy mbetën të plagosur. Dashuria e vërtetë mes të rinjëve apo ajo në rrjetet sociale solli përdorimin e armëve. Qyteti ende duket i mpirë, i trishtë, i përhumbur.
Lulet pranë lokalit ku ndodhi çmenduria u kujtojnë njerëzve që lëvizin papushim se këtu ndodhi një krim makabër, i padëgjuar në këto anë prej shumë vitesh.Kalimtarët heshtin dhe pak metra më larg thonë: E tmerrshme, kjo ngjarje nuk duhet të kishte ndodhur. Të gjithë flasim e komentojmë në rrjetet sociale. Duhej një zgjidhje tjetër, jo përdorimi i armëve vrastare.


Pak më tej Bashkia Klos ka nisur një investim të rëndësishëm, ndërtimin e urës që ishte kthyer në makth për klosianët dhe përdoruesit e mjeteve motorike. Ky investim sikur u tregon qytetarëve se jeta këtu do të përmirësohet. Përballë vendit ku kërciti arma çdo të diel zhvillohet pazari më i madh i krahinës, një traditë kjo e ardhur nga shekujt. Fermerë, blektorë e tregëtarë të Matit nxjerrin në shitje gjithçka.


Rruga e Arbërit ka bërë që më shumë tiranas të marrin rrugën dhe të blejnë produkte bio. Kjo ka bërë që banorët e Luginës së Matit dhe më gjërë ti kthehen më shumë punës.
Sakaq lokalet, restorantet dhe rrugët gumëzhijnë nga njërëzit e shumtë. Të gjithë e dinë se këtu, në këtë qytet të vogël, ku harmonia mes njërëzve është për tu patur zili ka ndodhur një ngjarje e tmerrshme. Disa e komentojnë, të tjerë nuk gjejnë fjalë për tu shprehur.
Aty ku qyteti mbaron disa njerëz i drejtohen xhamisë, me siguri dikush ka menduar ti ndihmojë.
Natën, në hyrje-daljet e qytetit efektivë të repartit “Shqiponja” dhe policë të Klosit e Burrelit patrullojnë papushim. A lidhet kjo me ngjarjen e fundit apo po u prishin “strofullën” kontigjenteve të krimit? Këtë nuk e themi dot me saktësi.
Largohemi nga Kryemati, siç i thonë të moshuarit me shpresë se normaliteti do të rikthehet e klosianët bujarë, punëtorë e të mençur do të shijojnë ditë më të mira.

/Tirananews.al
