Lear Kurti vijon që të mbajë të mbërthyer politikën, opinionin publik dhe misterin e vdekjes. U vra, u dhunua, pse me shenja dhe me pranga në spital?
Teksa përgjigjet do të zbulohen në ditët të vijim, Prokuroria bën me dije se ka nisur hetimet dhe për këtë po hetohet për ”veprime arbitrare” dhe ”mosdhënie ndihme”.
Nëna e tij thotë se në trupin e pajetë të të birit, ka parë dhunë të tmerrshme. Sipas autopsisë, 32-vjeçari ka vdekur nga overdoza. Për vdekjen e mistershme janë mbajtur dy protesta të forta nga shoqëria civile dhe e mbështetur nga opozita. Janë pezulluar nga detyra tre efektivë.
Njoftimi i Prokurorisë
Mbi bazën e referimit të Drejtorisë Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës parë Tiranë ka regjistruar proçedimin penal Nr.7671/2022 për veprën penale “kryerje e veprimeve arbitare” dhe “Mosdhënia ndihmë”, parashikuar nga nenet 250 dhe 290 e K. Penal.
Deri në këtë fazë të hetimit, janë administruar kartela mjekësore e shtetasit Lear Kurti, procesverbali i këqyrjes së kufomës, pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë që nga momenti i konstatimit dhe deri në dërgimin e tij për ndihmë mjekësore pranë Qendrës Spitalore Universitare e Traumës, janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethana të hetimit shtetasit që kanë qenë prezent me viktimën dhe të gjithë punonjësit e policisë që kanë kryer veprime me shtetasin Lear Kurti.
Po kështu, është administruar akti i ekspertimit kimik i kryer nga një grup prej 5 (pesë) ekspertësh, nga i cili ka rezultuar se në mbetjet e qeses së gjetura në stomakun e viktimës gjatë kryerjes së autopsisë, ka prani të lëndës narkotike kokainë.
Në vijim të veprimeve të tjera, grupi hetimor, me qëllim evidentimin e të gjitha rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së shtetasit Lear Kurti, do të administrojë pamjet filmike të urgjencës në Qendrën Spitalore të Traumës, pyetjen e personelit infermiero/mjekësor që kanë pritur dhe janë marrë me trajtimin e shtetasit Lear Kurti si dhe çdo veprim tjetër për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.