Në aeroportin e Rinasit janë riatdhesuar 50 shqiptarë nga Franca, të cilat kanë shkelur rregullat e lëvizjes në zonën “Shengen” apo u është refuzuar kërkesa për azil.
Zv.ministrja e Brendshmë Rovena Voda tha se Shqipëria konsiderohet një vend i sigurtë, dhe azilkërkimi është një rrugë e gabuar e me kosto për ta.
“Ministria e Brendshme e Shqipërisë është duke komunikuar me Ministritë homologe të vendeve si Franca apo vende të tjera, për të rishikuar procedurat e dhënies së azilit në këto vende, me qëllim shkurtimin e kohës së procedurave, por edhe mënyrën se si do të trajtohen shtetasit shqiptarë, që vijnë nga një vend i sigurt. Kështu që udhëtimi në këto vende me qëllimin për të kërkuar azil, jo vetëm që është një kosto e madhe për qytetarët shqiptarë, por është një hap i gabuar, është një hap që kushton dhe jo vetëm shpenzon, por do t’i kufizojë këta shtetas edhe në udhëtime të tjera drejt vendeve të BE-së”, tha Voda.
Ajo thekson se Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta dhe qytetarët shqiptarë nuk mund të përfitojnë azil në vendet e BE-së”.