Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta këtë të mërkurë ishte në selinë e Partisë Demokratike, ku është pritur nga kryetari Sali Berisha, dhe nesër mësohet se do të nënshkruhet marrëveshja për zgjedhjet lokale.
Pas takimit, për mediat Ilir Meta tha se i propozoi Berishës një super emër politik për ”Parlamentin” e Tiranës, kjo për kryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Ai theksoi se respektojnë primaret e Sali Berishës dhe se në disa zona do të fusë edhe Partia e Lirisë kandidatët e tyre në primare.
“Jemi në një sintoni të plotë. Kryetari i ardhshëm i bashkisë së opozitës që do triumfojë dhe kryetari i këshillit të bashkisë, do bëjnë spektakël të jashtëzakonshëm në pak muaj. PL respekton primaret, risi e jashtëzakonshme. Kemi kërkuar që të realizohet sa më shpejt ky proces kudo ku kemi kandidatë të cilët premtojnë për komunitetin e tyre, do ti përfshijmë në primare të përbashkëta me PD dhe parti të tjera të opozitës. Me rëndësi që kandidatët të respektojnë njëri-tjetrin, përndryshe se cildo shfrytëzon primaret për të dëmtuar kandidatin tjetër të përjashtohet nga gara. Nuk kam patur asnjë diskutim për emrin që do të jetë në Tiranë, por i kam propozuar një emër zotit Berisha për kryetar të Parlamentit të Tiranës, të cilin e priti me shumë kënaqësi. Çdo të hënë do të ketë Këshill Bashkiak që do të dëgjojë qytetarët”.
Ky është takimi i dytë që Meta dhe Berisha zhvillojnë sëbashku në selinë blu. Para tre javësh, Meta i shkoi Berishës në takim, ku edhe konfirmuan se do të bashkëpunojnë për zgjedhjet lokale. Sali Berisha ka lënë 6 nëntorin si afatin maksimal për të zhvilluar negociata me aleatët dhe evidentimin e kandidaturave për primare, ndërsa Ilir Meta ka shprehur gatishmërinë e tij për bashkëpunim.
