Barack Obama po përpiqet të bëjë diçka që nuk mundi gjatë dy mandateve si president: të ndihmojë demokratët të fitojnë në zgjedhjet që mbahen kur ata kanë kontrollin e Shtëpisë së Bardhë.
Obama është më popullor se sa ishte atëherë, dhe tani është presidenti Joe Biden, ish-zëvendësi i tij, i cili përballet me rrezikun e humbjes në nëntor.
Ish-presidenti Obama do të nisë të premten me shtetin e Xhorxhias një udhëtim në shtetet ku garat janë vemdimtare dhe më pas në Miçigan dhe Uiskonsin, pasuar nga ndalesat javën e ardhshme në Nevada dhe Pensilvani.
Itinerari, i cili përfshin tubime me kandidatët demokratë për zyrat federale dhe shtetërore, vjen ndërsa zoti Biden dhe demokratët përpiqen të pengojnë fushatën e ashpër republikane për të përmbysur shumicën e ngushtë të demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin. Kjo përpjekje gjithashtu ka qëllim fitoren e pozitave kyçe të guvernatorëve përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Ndërsa vlerësimet pozitive të opinionit amerikan për punën e presidentit Biden kanë rënë nën 40% dhe përballja me inflacionin, për kandidatët për senator si Raphael Warnock nga Xhorxhia dhe Catherine Cortez Masto nga Nevada, zoti Obama është një përkrahje e mirëseardhur.
