Pas largimit të papritur nga Top Channel, gazetari Sokol Balla rikthehet në ekran, këtë herë në Report TV që sapo ka hapur studiot e reja. Sokol Balla regjistroi spotin e tij të parë promocional për Report TV, duke përshëndetur me “ja ku jemi prapë!” një mesazh që qartësisht i referohet kthimit të tij pas ndërprerjes nga eksperienca e mëparshme televizive.
Programi i Sokol Ballës do të titullohet “Real Story” dhe do të jetë në transmetim çdo të enjte në orën 21.00. Në ditën e parë do të jetë i ftuar kryeministri Edi Rama.
“Pas një karriere të gjatë profesionale në disa nga televizionet më të rëndësishme të vendit, – thotë Carlo Bollino, gazetar dhe drejtues e pronar i Report TV, – konsideroj ardhjen e Sokol Ballës në Report TV si një kthim në shtëpi, aty ku gjithçka nisi”. Pikërisht me Carlo Bollinon, në të largëtin 1994, Sokol Balla nisi punën e tij si gazetar.
