Mbrëmjen e sotme Kryeministri, Edi Rama ndodhet në Korçë ku gjatë fjalës së tij ka këshilluar të rinjtë që të punojnë online.
Ai bëri me dije se po punohet për draftimin e një projektligji që rregullon pjesën legjislative për të gjithë ata që punojnë online.
Më tej Rama tha me batutë se të rinjtë fitojnë aq shumë para online, saqë kanë frikë se i kap Drejtoria e Tatimeve të Korçës.
“Fitojnë aq sa kanë frikë se i kap drejtoria e Tatimeve të Korçës, nuk kemi ende një legjislacion të rregulluar për ata. Po bëjmë ligjin për ‘nomadët digjitalë. Teknologjia të jep mundësinë që pa lëvizur nga vendi, mjafton të kesh një lidhje internet dhe një kompjuter dhe të punosh në gjithë botën,” tha Rama.
Akuzat ndaj Berishës
Kryeministri Edi Rama ka sulmuar edhe Sali Berishën lidhur me financimet ruse në Partinë Demokratike.
Rama tha se një person i shpallur non-grata nga SHBA, nuk ka se si mund të mos ketë lidhje me këto financime.
“Pse e bëri PD që të pranojë financimin rus? Si shpjegohet nongrata e një ish-Presidenti që është takuar dhe respektuar nga Presidentët amerikanë, i një vendi të NATO-s nëse nuk ka lidhje me këtë që po them unë. Nuk ka as më të voglin diskutim. Shikoni si gjithë propaganda sot, zhvillohet në këtë linjë dhe se si njerëzve të cilët me të drejtë janë të shqetësuar për shkak të presionit financiar, nuk është e lehtë. Ne e kemi neutralizuar deri tani goditjen për çmimin e energjisë. E kemi mbajtur inflacionin më të ulët se gjithë vendet e rajonit. Si shpjegohet që kjo tani, përdoret kaq egërsisht duke u shoqëruar me shpifjet nga më ekstremet, për të shfrtytëzuar një moment të vështirë psikologjik, i treti në rradhë, për të nxitur njerëzit të dalin dhe të shkatërrojnë çdo gjë”, tha Rama.
