Nga Blendi Fevziu/
Kjo grua e moshuar ka qënë sot dhimbja e përbashkët e të gjithë shqiptarëve.
E qara e saj e trishtë që mbytej nga zgërdhirjet e disa punonjesëve të shtëpisë së pleqve, përpara një telefoni që regjistronte ate skenë thuajse makabre, nuk do të kishte ndodhur nëse jeta s’do t’i kishte rezervuar një tjetër surprizë të trishtë.
Kjo nënë kishte një djalë. Ajo do ishte sot me të, e me siguri, do kishte qënë e kënaqur dhe e lumtur me nipat e mbesat ne shtëpinë e tij. Por djali nuk e lumturoi dot.
Në momentin më të rëndesishëm e më delikat të vendit te tij, Taulant Nuraj, vendosi t’i bashkohet UÇK – së. Ai vendosi të mbrojë me jetën e tij jo vetëm të moshuarit, por edhe gjithë qytetarët e Kosovës që kercenoheshin nga dhuna serbe. Ai ra dëshmor në afërsi te Gjakovës në vitin 1999. Duke lene pas nje foto te vetme, me nje buzëqeshje dhe me bindjen qe shteti per te cilin po flijohej do ta meritonte sakrificën e tij.
Që prej vitit 1999 kjo nënë digjet ne dhimbjen për djalin që humbi, por me siguri edhe me krenarinë që ai ra dëshmor për këtë vend. Por vendi të cilit ajo i flijoi djalin e saj, i ka rezervuar sot nje skene që te ngjeth.
Gruaja e vetmuar goditet në nje shtepi pleqsh, nga dy vajza, te dyja me uniformë, ndesa nje e tretë e filmon skenën me siguri per ta shfaqur me krenari ne ndonje nga ndenjiet banale te kesaj kategorie qe s’ka asgjë të perbashket me qenien njerezore. Apo pse jo, për ta bërë edhe virale ne tik tok. Sot ato dy vajza nuk kanë goditur vetëm nje te moshuar, qe ne vetvete eshte mekati me i madh ne kete bote.
Sot ato dy vajza kanë goditur mbi endrrën e mijera deshmorëve të Kosovës për të ndërtuar një shoqëri me të mirë, pa dhunën me të cilët serbët kërcënonin shqiptarët.
Ato vajza kanë goditur mbi besimin e një kombi të tërë që respektin ndaj të moshuarve e ka pasur në thelb të filozofisë së tij.
Sot ato nuk kanë goditur një nënë pa djalin e saj. Sot ato kanë goditur secilin nga ne, ndaj secili prej nesh duhet të ndjejë në fytyrë ato goditje dhe atë turp…
