Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë raportimit këtë të premte në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, tha se niveli i lartë i inflacionit po dëmton stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit. Nga ana tjetër, nënvizoi edhe se për të prioriteti aktual i politikave ekonomike do jetë marrja e masave për garantimin e stabilitetit të çmimeve në një kohë sa më të shpejtë, kjo me një kosto të arsyeshme.
“Niveli i lartë dhe i qëndrueshëm i inflacionit dëmton stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit, i cili ka qenë dhe mbetet parakusht për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit. Kjo redukton investimet afatgjata, godet disporcionalisht shtresat me të ardhura të pakta, rrit pasigurinë e bizneseve dhe familjeve.
Prioriteti aktual i politikave ekonomike do jetë marrja e masave për garantimin e stabilitetit të çmimeve në një kohë sa më të shpejtë dhe një kosto sa më të arsyeshme. BSH ka filluar normalizimin e qëndrimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit dhe duke sinjalizuar vullnetin tonë për vazhdimin e këtij procesi deri në momentin kur kushtet monetare dhe financiare do jenë të përshtatshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit”, tha ai.