Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Ilir Pajën. I njohur me pseudonimin “ufo”, lënia në burg e 49-vjeçarit është bërë me qëllim që të ekstradohet në Itali, ku rezulton i dënuar me 25 vite e 4 muaj.
Paja mori nofkën “ufo” pas dy arratisjeve të bujshme nga burgu italian i sigurisë së lartë. Drejtësia e vendit fqinj e ka dënuar për vrasje dhe rrëmbim. Edhe në Shqipëri Ilir Paja ka qenë i dënuar për vrasjen e një polici.
Historia e tij kriminale nisi në mars të vitit 2008 pasi mori përpara me makinë një efektiv të policisë kriminale në Tiranë, por u lirua me pretendimin se vuante nga një sërë sëmundjesh. Më pas, shkoi në Itali dhe Gjykata e Apelit në Milano e dënoi me 25 vjet e 4 muaj burgim për vrasje, por u arratis nga burgu.