Vetëm me votat e PS-së, kaloi në parim në Komisionin e Sigurisë Kombëtare projektligji i ndryshimeve të Vetting-ut në Policinë e Shtetit. Ky projekt ligj do t’i kalojë më pas Kuvendit, që do t’i hapë rrugë AMP=së që të bëjë vettingun në Polici.
Me ndryshimet që pritet të kalojnë në vijim në Kuvend, Vetting-u i Policisë së Shtetit do të vijojë, por jo më nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit të cilit iu ndërpre mandati në mars 2022. Do të jetë Agjencia e Mbikqyrjes Policore, tashmë nën drejtimin e Ardi Veliut dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave me drejtues Evgjeni Basharin, ata që do të kalojnë në sitë efektivët.
Pasuria dhe deklarimi i parave do të certifikohet nga ILDKPKI, pastërtia e figurës nga AMP me informacion nga SHISH dhe DSIK dhe aftësia profesionale e policëve do të mbajë firmën e kreut të AMP, Ardi Veliu, përmes departamentit të standardeve profesionale.
Nëse në ligjin fillestar të Vetting-ut do të ishin në filtër 12 mijë efektivët që ka struktura, kësaj here janë të listuar sipas gradave rreth 300 efektivë, si drejtuesit e policisë së shtetit, shefat e komisariateve, të departamenteve të ndryshme, ata që duan të ngrihen në detyrë duke mos prekur policët e thjeshtë të cilët i shpëtojnë Vetting-ut.