Lear Kurti që ngriti qytetarët në protesta për vdekjen e tij, sipas ekspertizës mjeko-ligjore, humbi jetën nga mbidoza e kokainës. Prokuroria e Tiranës ka zbardhur ekspertizën mjeko-ligjore për 32 vjeçarin, i cili vdiq pasi u shoqërua në komisariat.
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka administruar aktin e ekspertimit mjeko-ligjor nr 494/22 datë 14.11.2022, në lidhje me shkaqet e vdekjes së shtetasit Lear Kurti. Në përgjigje të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor, përcaktohet diagnoza Anatomo-Patologjike: Mbidozim (Helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Ishemi akute Hypoksite e miokardit e shoqëruar me kontraktim dhe deformim të miofibrilive, edemë e shprehur e trurit, stazë vazale dhe ekstravazat kapilar, atelektazë dhe emfizemë kompesatore e mushkrisë, hepatit kronik persistent. Shkaku i vdekjes se shtetasit Lear Kurti ka qenë helmimi (mbidozim) akut me lëndë narkotike të llojit kokainë, i komplikuar me shok toksik, me mekanizimin e ishemisë akute të miokardit që ka sjellë për pasojë asistolinë kardiake (Ndalim i menjëhershëm i zemrës)”,-njofton prokuroria.
Nëna e tij thotë se në trupin e pajetë të të birit, ka parë dhunë të tmerrshme. Por sipas autopsisë, 32-vjeçari ka vdekur nga overdoza, dhe jo nga dhuna. Për vdekjen e mistershme janë mbajtur deri më tani dy protesta të vogla nga shoqëria civile dhe të mbështetura nga PD-ja e Sali Berishës dhe nga Partia e Lirisë. Për këtë ngjarje janë pezulluar nga detyra tre efektivë.
Gjatë shoqërimit, 32-vjeçari ka shfaqur probleme shëndetësore dhe u kërkua ndihma e urgjencës. Duke qenë se gjendja e të riut po përkeqësohej si u dërgua me mjetet e policisë në spital ku ndërroi jetë? Pas konstatimit të vdekjes trupi i pajetë u përcoll në morg.
U bë kurban i riu për zonën ku jetonte, për të frenuar që të rinjtë të mos konsumojnë lëndë narkotike? Shumë pyetje janë pa përgjigje, dhe ky rast nuk duhet të kalojë në heshtje të Policisë dhe të Ministrisë së Brendshme, por të shkund sistemin policor në vend.