Dita e enjte, do të jetë një seancë maratonë në Kuvendin e Shqipërisë. Partia Demokratike ka përgatitur 23 amendamente për buxhetin 2023, kur të diskutohet nesër nen për nen në seancën parlamentare. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Sali Berisha tha se kërkojnë rritje me 25% për pagat dhe ulje e TVSH për dritat në 6%.
“Kemi në mbledhje pune shumë të rëndësishme për shkak të rendit të ditës tepër të veçantë. Janë buxheti i shtetit për të cilin deputetët e PD-së kanë përgatitur 23 amendamente, kanë thirrur në interpelancë Edi Ramën.
Amendamentet e paraqitura përbëjnë një përmbysje reale të planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit, nga një buxhet për tu vjedhur në një buxhet në shërbim të qytetarëve, nevojave të tyre, rrogave dhe pensioneve të tyre më të ulëtat në rajon dhe që me këtë buxhet bëhen edhe më të ulëta.
Në buxhet, në amendamentet e përgatitura janë përparësuar pas rrogave dhe pensioneve ku kërkohet një rritje 25% e rrogave dhe pensionet rritje shumë e ndjeshme, janë përparësuar buxheti për arsimin i cili përsëri është diskriminuar. Është përparësuar buxheti për shëndetësinë. Janë përparësuar lëvizje dhe masa fiskale në favor të qytetarëve për të ulur përballimin e çmimeve të tmerrshme që janë sot”, tha Berisha.
