Mosfunksionimi i ekzsekutivit në SHBA vazhdon, pasi presidenti Donald Trump nuk tërhiqet nga kërkesa për të financuar murin përgjatë kufirit me Meksikën, një nga premtimet më të mëdha të tij gjatë fushatës për t’u zgjedhur në krye të shtetit amerikan. Mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane, ka hyrë në ditën e 13 të saj.
Krerët demokratë dhe republikanë nuk ia dolën që të kapërcenin ngërçin. Demokratët janë kundër, ndërsa presidenti Trump ka bërë të qartë se ai nuk do të heqë dorë nga kërkesa për financimin e projektit 5 miliardë dollarësh.
Kjo situatë ka bërë që me qindra e mijëra punonjës federalë të vazhdojnë të mbajnë pezull frymën, duke punuar pa pagë apo me pushime të detyruara dhe të papaguara në shtëpi.
Rreth një e katërta e qeverisë federale nuk ka fonde, gjë që prek 9 departamente dhe rreth 800 mijë punonjës. Vende publike, mes tyre edhe atraksionet kryesore turistike, u janë drejtuar fondeve të emergjencave.
Në Uashington DC, rreth 20 muzeume kanë mbyllur dyert, e të njëjtën gjë ka bërë edhe Kopshti Zoologjik i qytetit, pavarësisht se kujdesi për kafshët vazhdon. Parqet kombëtare ndërkohë kanë qëndruar të hapura, ndryshe nga çfarë ka ndodhur në mbylljet e mëparshme të qeverisë, me vullnetarët që janë hedhur në ndihmë.
Shërbimet publike kanë qenë të reduktuara. Mbeturinat janë mbledhur në pirgje dhe zonat e kampingut janë mbyllur për shkak të mungesës së shërbimeve të pastrimit. Edhe sistemi i gjykatave është prekur po ashtu, ndërsa laboratorët shkencorë nuk bëjnë më eksperimente, duke vonuar projektet e kërkimit.