27-vjeçe, më 28 nëntor në 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, u bekua me pasaportë shqiptare. Është ylli i muzikës pop në botë. Ka fituar çmime Grammy, ka me qindra koncerte në çdo cep të botës. Ka 10 miliard shikime në Youtube, me miliona fansa nëpër botë dhe mbrëmë ndezi si kurrë më parë një artist sheshin “Skëndërbej”, me një koncert falas.
Ajo është Dua Lipa.
Shqiptarja më shqiptare se ne vetë, që punon dhe lufton për të ngritur imazhin kuqezi nëpër botë, që kërkon luftë ndaj ksenofobisë britanike ndaj emigrantëve shqiptarë, por ne në Shqipëri, më saktë një pakicë e fustruar nga e keqja, nuk e donin në Tiranë. Ironizuan marrjen e pasaportës shqiptare nga ana e saj, edhe pse ajo mbrëmë dhuroi një koncert falas, pas 94 show-ve nëpër botë me turneun “Future Nostalgia”.
Ata s’Duan veten, jo më të duan Duan. S’kanë faj sepse kanë një jetë që kanë akumualuar shumë mllef, vrer, inat, urrejtje dhe frustrim shekullor. Vreri nuk vret Duan, por mbyt këtë vend që rininë e ka rrugëve të Europës, në gomone dhe ku në Angli cilësohen si “pushtues”.
Ylli i popit nga Prishtina, e rritur në Londër, mbrëmjen e së hënës i tregoi botës nga Tirana, se çfarë universi fshihet brenda Shqipërisë, dhe se keqdashja politike nuk e ndalon një artist të kthehet në emblemën dhe duan (lutjen) e shqiptarëve nëpër botë.




