Policia e Tiranës ka mundur të zbardhë vrasjen e 39-vjeçarit Briken Sanaj, që u ekzekutua te Kodra e Diellit në Tiranë më 30 Tetor 2022. Autori i dyshuar është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Po kështu në kërkim janë shpallur dhe dy persona të tjerë, shqiptarë të Kosovës nga Peja, të cilët akuzohen se kanë ndihmuar vrasësin.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2022, ka rezultuar se shtetasi kosovar K. A. i ka shitur automjetin shtetasit tjetër kosovar Gj. K., më datë 24.10.2022, dhe po në këtë datë, këta shtetas e kanë futur këtë automjet në territorin e Shqipërisë dhe ia kanë vënë atë në dispozicion shtetasit V.(V.) K., i cili e ka përdorur automjetin për realizimin e vrasjes së shtetasit B. S. Pas ngjarjes, autori i dyshuar e ka djegur automjetin, në rrugën dytësore Tiranë – Durrës, së bashku me armën e krimit.
Për autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje janë kryer kërkime, si dhe është bërë shpallja në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar e tyre dhe në bashkëpunim me policitë homogole, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Në cilësinë e provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar 4 automjete të përdorura nga autori i dyshuar, para dhe pas ngjarjes, 10 aparate celulare, si dhe pamje filmike që i shërbejnë hetimit”, thuhet në njoftim.