Shumë prova në dorë, por autoritet e Kosovës e lanë të lirë vrasësin monstruoz, në vend që ta dënonin me burg. Mediat e Kosovës bëjnë me dije se në një procesverbal përshkruhet se i dyshuari për vrasjen e Hamide Magashit, Sokol Halili i kishte thënë gjykatësit që gruaja e tij i ka ofruar para për ta lejuar që të shkojë në shtëpi.
“Më ka premtuar një shumë shumë të madhe parash, vetëm që ta lija të shkonte tek shtëpia e babait të saj. Ajo më ka thënë të martohem me kë të dua vetëm që ta lë rehat atë dhe fëmijën”,-citohet të ketë thënë Sokol Halili.
Madje para gjyqtarit, i dyshuari kishte deklaruar se nuk do ta linte të lirë Hamide Magashin me asnjë kusht, pasi nuk do lejonte që fëmijën ta mbante e ndjera. E gjithë kjo ishte thënë para gjykatës në kohën kur po vendosej urdhri mbrojtës. Deklaratat e viktimës para hetuesisë tregonin se ajo kishte kishte raportuar dhunën e vazhdueshme me të cilin ishte përballur e ndjera.
Pagat e realizuara nga puna në Komunën e Ferizajt, Hamide Magashi kishte deklaruar se detyrohej t’ia dorëzonte çdo muaj bashkëshortit. Në këtë dosje, viktima kishte deklaruar se edhe çdo vizitë të bërë në familjen e saj kishte qenë e shoqëruar nga vjehrra dhe e vëzhguar nga bashkëshorti. Përveç shoqërimeve nga e vjehrra dhe i shoqi, viktima kishte raportuar më parë edhe për kërcënimet me armë dhe dhunën e vazhdueshme që kishte pasur.
Madje Magashi kishte raportuar se nga burri kishte pasur edhe kërcënime me vrasjen e burrit të motrës dhe kryerjes së marrëdhënies seksuale me motrën e saj në praninë e saj. Të gjitha këto pretendime ishin mohuar nga i dyshuari Sokol Halili.
Pas këtyre deklaratave në fund të muajit korrik të këtij viti ishte bastisur shtëpia e të dyshuarit Sokol Halili. Gjatë kontrollit atij i ishin gjetur dy armë zjarri, njëra pushkë gjuetie me leje të skaduar dhe një pistoletë me gas. Pasi ishte intervistuar në lidhje me këto armë të konfiskuara, i dyshuari me urdhër të prokurorit Rasim Maloku ishte liruar në procedurë të rregullt.