Ndryshe nga vlerësimet e ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, për Këshillin e Ambasadorëve, një student ekselent është thjesht një student dhe ai nuk ka përvojën e duhur në diplomaci.
Duke reaguar mbi deklaratën e pak ditëve më parë të kryediplomatit në detyrë për reformën në shërbimin diplomatik, sipas të cilit duhet të rekrutohen në këtë shërbim, ekspertë ekselentë, Këshilli i Ambasadorëve thekson se shërbimi diplomatik duhet të konsolidohet me diplomatë karriere.
Sipas deklaratës, kjo reformë e paralajmëruar do të dëmtonte më tej Shërbimin e Jashtëm shqiptar dhe do të demotivonte të gjithë trupën diplomatike të karrierës, që kanë hyrë në shërbimin e jashtëm duke respektuar kuadrin ligjor.
“Një student i shkëlqyer, apo siç e konsideron MEPJ, “ekselent”, është thjesht një student që ka mbaruar studimet dhe që duhet të motivohet të aplikojë për të filluar karrierën e tij sektoriale apo akademike.
Vetëm eksperienca, vlerësimet në punë dhe karriera në Shërbimin e Jashtëm janë kriteret themelore që duhen marrë në konsideratë”, thuhet në reagimin e këtij Këshilli ku janë pjesë edhe dy ish-ministrat e jashtëm, Arta Dade e PS-së dhe Besnik Mustafaj i PD-së.
Ky Këshillë, sugjeron hartimin e një platforme me specialistë të fushës dhe konsensus politik, me qëllim që Shërbimi i Jashtëm të ketë përfaqësimin dhe fleksibilitetin e duhur brenda dhe jashtë vendit.