Të dielën u mbajtën Primaret e Sali Berishës, ku janë mësuar edhe se kush do të jenë 51 kandidatët për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, dhe në bashkitë e tjera do bëhen sërish votime përshkak të balotazhit. Kryetarja e Komisionit të Organizimit e Kontrollit të Operacioneve elektorale, Abana Vokshi ka dhënë detaje në lidhje me procesin e votimit të primareve për të gjitha degët. Sipas saj procesi ishte transparent dhe në prani të mediave.
“Numërimi është bërë i përqëndruar, ka filluar pak vonë pasi u pritën të gjitha kutitë e degëve të Tiranës numërimi është bërë në 6 tavolina. Në secilën tavolinë kanë qenë numërues, kryetarët dhe sekretarët e degëve. Në secilën tavolinë secili nga 7 kandidatët të caktonte një vëzhgues dhe nëse kishte ankesa ato adresoheshin te Komisioni Qëndror i Numërimit. Është numëruar në prani të mediave live në Facebookun e kryetarit të PD-së Sali Berisha dhe PD-së. Ka qenë proces transparent. KQN bën me dije se numri total i votuesve për primaret në Tiranë ka qenë 8470, të vlefshme 8441 dhe të pavlefshme 29″.
Vokshi theksoi se kanë mbërritur thuajse të gjitha kutitë dhe priten ato pak kuti nga degët më të largëta, ndërsa njoftoi se gjatë ditës do të bëhen të ditura për të gjitha rezultatet e degëve.
Rezultatet e primareve për Tiranën:
Belind Këlliçi – 4040 vota
Ilir Alimehmeti – 2196 vota
Gert Bogdani – 1819 vota
Julian Deda – 157 vota
Adriana Kalaja – 128 vota
Enkelejda Fejzo – 66 vota
Fatmir Merkoçi – 35 vota
Të pavlefshme – 29 vota
Votues gjithsej – 8470