Nuk ka më dyshime, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është pjesë e samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Ai u prit nga kryeministri Edi Rama në sheshin “Italia”, dhe mbërriti teksa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po fliste për mediat. Në fjalën para gazetarëve nga mbarë Europa, Vuçiç tha se Serbia është e pavarur dhe është drejt rrugës në Bashkimin Europian.
“Disa reagime zyrtare për çështjen e Kosovës dhe për çështjen e dialogut, kjo ishte arsyeja kryesore pse erdha. Por në fund pas konsultimeve që bëmë brenda shtetit vendosëm të vinim sepse do themi çfarë mendojmë e jemi të përkushtuar ndaj dialogut dhe negociatave me BE. Mbetemi të vendosur në rrugën me BE. Jam këtu të mësoj më shumë nga BE-ja dhe rajoni, dhe në fund do shpjegoj qëndrimin e Serbisë. Serbia është vend i pavarur. I dimë dhe i njohim detyrimet tona. Kemi një situatë ndryshe sa i takon integritetit territorial të Serbisë që është shkelur në 99 dhe 2008. Për t’ju thënë diçka duke folur për këtë gjë’ keni dëgjuar ose shkruar gjatë 9-10 muajve të fundit se Serbia po sulmonte vendet e tjera në Ballkan. Ne kemi përgënjeshtruar jo me deklarata, por me vepra. Është e lehtë të ekspozosh çdo lloj akuzë, por e vërteta del. Serbia është vend i pavarur dhe do të mbetet kështu”.
Temë e nxehtë në bisedime do të jetë edhe statusi delikat i Beogradit si aleati i vetëm i Moskës në Ballkan. Ai përdori edhe një referim filozofik për të shpjeguar situatën.
“Serbia është afër Rusisë, atyre që na kritikojnë për këtë i kujtoj atë që filozofi Leibniz e quante mënyrë të mjaftueshme për të kritikuar kur nuk ke arsye. U tha se po ndiqnim udhëzimet e Moskës për të shkaktuar destabilizim në Ballkan dhe ne e kemi përgënjeshtruar me vepra këtë, është e lehtë të ekspozosh çdo lloj falsiteti, por e vërteta del, jemi drejt rrugëtimit europian dhe kështu do të mbetet”.
