Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka pritur sot në një takim kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Kryeministri Mitsotakis shoqërohej në këtë takim nga Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Niko Dendias.
Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dhe partneritetin strategjik midis dy vendeve si dhe e konsideroi praninë e minoritetit grek në Shqipëri dhe të komunitetit shqiptar në Greqi si një vlerë të shtuar për këto marrëdhënie.
“Ato përbëjnë një urë të fortë, të vërtetë e të sinqertë miqësie e bashkëpunimi, për të cilën ne jemi të gatshëm ta forcojmë e promovojmë më tej”, u shpreh Presidenti Begaj.
Begaj tha se “Kosova është një realitet politik dhe njohja e pavarësisë së saj do t’i shërbente forcimit të mëtejshëm të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
“Dua të mbroj interesin e shqiptarëve kudo që ata ndodhen”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Begaj dhe Mitsotakis e vunë theksin edhe tek bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve dhe mundësitë e investimeve të kapitalit grek në fusha të ndryshme të ekonomisë.