Dita e sotme shënon 32 vjet nga krijimi i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 që përmbysi komunizmin. Në përkujtim të kësaj dite, Forumi Rinor i partisë Demokratike ka organizuar Kuvendin e FRPD-së.
I pranishëm në këtë aktivitet është edhe kryetari i PD-së, Berisha i cili është shprehur se Shqipëria shpëtohet vetëm me revolucion dhe jo me lutje apo me deklarata.
“Mos harroni se jeni trashëgimtarë të një lëvizje, e cila me një guxim epik, me një guxim në kufijtë e legjendës, u përball në vitet ’90 me diktaturën më të egër staliniste, më çnjerëzore, më barbare, me diktaturën komuniste, e cila në kohën kur bashkëmoshatarët tuaj mbushën sheshin, diktatura vriste ata që niseshin për të arritur në botën e lirë, por mbeteshin nën breshëritë e kallashnikovëve të rojeve të vdekjes.
Megjithatë ata të rinj, të udhëhequr nga bashkëmoshatari juaj Azem Hajdari, i shndërruar në një lider legjendar, e gjunjëzuan diktaturën dhe diktatorin.
I imponuan atij, vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Në një betejë të pashembullt në katër anët e vendit, përmbysën me votë diktaturën komuniste në Shqipëri.
Kjo është trashëgimia, që do ju frymëzojë ju dhe gjithë shqiptarët në betejën për liri dhe dinjitet.
Është kjo trashëgimi që të ngriheni në lartësinë e idealeve fisnike. Kështu që sot, fjala dhe kryefjala e ditës është revolucion dhe vetëm revolucion.
Shqipëria nuk shpëtohet me lutje, Shqipëria nuk shpëtohet me deklarata. Shqipëria shpëtohet me revolucion. E shpëtojnë guximtarët, ata që e duan, ata që i dalin zot, e shpëtojnë ata si ju, që jeni të gatshëm të përballeni ballë për ballë, dhëmb për dhëmb me fundërrinat e regjimit të vjetër, me Edi Ramën, këtë bir xhelati që urren qenien shqiptare, që urren liritë e shqiptarëve, që urren dinjitetin e shqiptarëve”, tha Sali Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve Berisha u është drejtuar të rinjve duke ju thënë se “kanë të gjithë potencialin, të gjithë energjinë, entuziazmin, guximin, forcën për të shpëtuar këtë vend”.
