Emmanuel Egbo ka një karrierë aktive, portier me klube në Egjipt, portier i kombëtares së Nigerisë, i ardhur në Shqipëri në vitet 2001-2004 si portier i SK Tirana, pastaj te Bylisi në sezonet 2007-2011, për t’u rikthyer te SK Tirana si trajner dhe kampion. Prej disa muajsh ai është i angazhuar me klubin OHOD FC Medinah në Arabinë Saudite.
Egbo përjetoi momentet e tij të famës, që ndoshta kurrë nuk e kishte menduar se mund ta kishte, por pikërisht atëherë trajneri nigerian, afrikani i parë që fiton një titull kampion si trajner në Europë me Tiranën, do të duhej të largohej nga Shqipëria për një tjetër aventurë në futboll. Po ashtu ai tregoi se lidhjen me Shqipërinë e ka shumë të fortë, pasi siç theksoi Shqipëria është si vendi i lindjes, Nigeria.
“Shqipëria është vendi im i parë, këtu kam jetuar më shumë se në Nigeri, bashkëshortja ime punon këtu, nuk ka qenë me mua në Arabi. Shqipëria është si Nigeria, shqiptarët kanë respektin dhe mirësjelljen ndaj të huajve si në vendin tim. Kur shohin se një i huaj kërkon të integrohet, ata e bëjnë pjesë të familjes”.
