Këtë të hënë u zhvillua mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku kanë marrë zyrtarisht manadatin e deputetëve Orjela Nebijaj dhe Petrit Doda. Në seancën plenare që do të mbahet pasdite, ata do të bëjnë edhe betimin.
“Mbledhja shqyrtoi vendimin nr. 211, datë 01.12.2022, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit kandidatit të listës shumemërore të Koalicionit “ Partisë Demokratike-Aleanca për Ndryshim”, qarku Tiranë, z.Petrit Dine Doda, si edhe vendimin nr. 212, datë 01.12.2022, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “Për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit kandidatit të listës shumemërore të Koalicionit “Partisë Demokratike-Aleanca për Ndryshim”, qarku Tiranë, znj.Orjela Luftar Nebijaj. Z. Petrit Doda dhe znj. Orjola Nebijaj kanë fituar mandatin e deputetit dhe në mbështetje të nenit 4 të Rregullores së Kuvendit, në mbledhje u vendos të ftohen në seancën e sotme plenare për të bërë betimin, si kusht për të filluar ushtrimin e mandatit të deputetit”,-njofton Kuvendi.