Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se veriu i Kosovës vazhdon të mbetet sfidë. Osmani i ka dhënë një përgjigje pretendimeve të presidentit serb, Aleksanër Vuçiç për vendosjen e ushtrisë serbe në Kosovë, duke thënë se kjo është një ide hegjemoniste.
“Jemi të gjithë dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë ndaj Kosovës. Ky kërcënim është shpërfaqur nëpërmjet idesë hegjemoniste për vendosjen e trupave ushtarake në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e di fare mirë që prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë mori fund në vitin 1999”, ka thënë ajo.
Osmani ka falënderuar Policinë e Kosovës për mbrojtjen e interesave të vendit, derisa ka deklaruar se Kosova është një dhe e tërë dhe atdhe i të gjithëve. Ajo ka thënë se Serbia duhet ta kuptojë qartë se Kosova është shtet dhe i tillë do të mbetet gjithmonë.
