Plani i menaxhimit për Parkun Natyror të Ulzës dhe zonat përreth tij është në përfundim. Ekspertët kanë qenë të rëndësishëm për hartimin e planit, i cili synon të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm të zonës dhe të sigurojë mbrojtjen e mjedisit.
Këtë javë u prezantua plani i menaxhimit gjatë një seance dëgjimore të mbajtur në Qendrën e Vizitorëve në Ulëz. Të pranishëm ishin banorë të zonës si dhe përfaqësues nga shoqatat mjedisore.
Përfaqësues nga bashkia Mat, Administrata e Prefekturës dhe Qarkut Dibër, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe Ministria e Turizmit, së bashku me specialistë dhe projektues, morën pjesë në diskutimet mbi projektin lidhur me mënyrën sesi ai synon të kthejë zonën. një pikë referimi me interes turistik.
Kjo ndërhyrje synon të stimulojë zhvillimin e ekoturizmit dhe nëpërmjet tij edhe ekonominë lokale.
Qyteza e Ulzës pak më shumë se një orë larg kryeqytetit është një nga destinacionet interesante për të kaluar fundjavën, mes qetësisë dhe bukurive që kjo qytezë ofron.
Tashmë atë e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj nga Italia, Franca, Gjermania, Çekia e Polonia.
Projekti i Rilindjes Urbane për Ulzën, e ka transformuar tërësisht qytezën e lënë në harresë prej vitesh. Në kuadër të këtij projekti janë rehabilituar tërësisht fasadat, si dhe është ndërtuar sheshi i qytetit, së bashku me rrugicat kryesore të tij.
Sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit, rreth 2,000 banorë të Ulzës janë përfitues të drejtpërdrejtë të këtyre investimeve, ndërsa numri i përfituesve indirekt kap shifrën mijëra banorëve.
E pozicionuar midis bashkive Mat dhe Mirditë, Parku Rajonal i liqenit të Ulzës ka një sipërfaqe prej 4,206 hektarësh dhe shtrihet nëpër të gjithë kurorën e liqenit të Ulëzës dhe Shkopetit, në një lartësi 400 m mbi nivelin e detit.
Kjo është zona turistike më e afërt për banorët e këtyre bashkive, të cilët e frekuentojnë edhe për plazh gjatë verës. Pas shpalljes Park Natyror Rajonal rreth pesë vite më parë, tashmë Ulzën e vizitojnë edhe turistë që vijnë nga qytete të tjera të vendit, si dhe turistë të huaj.
Në këtë qytezë, turistët vendas dhe të huaj shijojnë bukuritë natyrore si dhe pyjet e shumta duke bërë hiking dhe eksploruar shtigjet. Gjithashtu turistët e aventurës mund të shijojnë lundrimin me kanoe në liqen. Për të apasionuarit pas turizmit të kulturës mund të vizitojnë kullat e vjetra plot histori nga e kaluara dhe kishat.
Mikpritja dhe kulinaria e shumëllojshme nuk mungojnë në këtë qytezë ku vizitorët shijojnë ushqimi tradicional me bazë peshku dhe prodhimet bujqësore të zonës.
Ulëza ka shumë për t’i ofruar turistëve përgjatë gjithë vitit.