Vijon të zhvillohet seanca parlamentare, e cila është e fundit për këtë vit. Një nga çështjet në diskutim është edhe marrëveshja e huasë për projektin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafa e Plloçës. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se qeveria do ta mbarojë këtë rrugë. Balla tha se për rrugën Qukës-Qafë Plloçë, “PD, ose Saliu nuk duhet të flasë kurrë”.
“Ditën që bëhet bashkë Saliu me Ilirin, 17 metra diferencë ure është pak. Duhet të jetë më e madhe sepse e vërteta është që nga 2009 deri në 2013 edhe ministrinë, edhe drejtorinë e rrugëve e kishit ju dhe pastaj e mori Iliri. Unë i kam kritikuar ministrat, kolegët e mi, që ditën e parë, për historinë e kësaj rruge, që kur është prerë shiriti pa projekt, pa studim gjeologjik, e dini, në 25 Qershor 2009 Sali Berisha ka thënë që kjo rrugë bën 7 miliard Lekë. Kaq ka thënë. Të gjithë ata persona që janë përfshirë në këtë histori, të një rruge pa projekt duhet të ishin sot para drejtësisë. Sa i përket asaj që po bën kjo qeveri, e vërteta është që do ta mbarojë këtë rrugë, i dashur Dash. Historia e Aktorit është që shkonte Saliu dhe thoshte bëje dhe këtë këtu, bëje dhe këtë këtu dhe Aktori ka fituar “claims” të gjitha që lidhen me historinë kur keni qenë ju në atë drejtori. Aktori ka fituar gjyqet për gabimet që keni bërë ju. Të gjitha. Nuk e ka hequr njeri Aktorin sepse e vërteta është që ne kemi respektuar një kontratë, ne natyrshëm që për gabimet e qeverisë suaj është parim që paguan shteti shqiptar, s’ke ça i bën dhe natyrshëm ti Dash e di mirë që ka pasur disa arrestime të drejtorëve të LSI për këtë punë. Për kodra pas bregut, të paktën për Qukës-Qafë Plloçë, ju, ata, PD, ose Saliu nuk duhet të flisni kurrë. Nul ju lejohet në mënyrë kategorike të hapni gojën se Saliu i pari duhet të ishte para drejtësisë për atë rrugë”, tha Balla.
Me Ballën ka replikuar deputeti demokrat Dashnor Sula. Ai u shpreh se edhe ai vetë ka shpresuar që kur PS ka ardhur në pushtet në 2013-n të vërë para drejtësisë të korruptuarit. Por kjo nuk është bërë dhe i kërkoi Ballës që të mos flasë më për këtë çështje pas 10 vitesh.
