Qytetarë të shumtë në Kosovë dolën sot në protestë kundër vendimit të Gjykatës Speciale që dënoi me 26 vjet burgim për krime lufte ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa.
Protesta e së shtunës u organizua nga Partia Socialdemokrate (PSD). Kreu i kësaj partie, Dardan Molliqaj, ka bërë thirrje për unitet për ta kundërshtuar këtë gjykatë. “Lufta për liri është shenja që ky është shteti jonë. Damkosja e kësaj lufte është sulm mbi Kosovën e pavarur. Edhe 23 vjet pas çlirimit, çlirimi po ka kosto”, tha ai.
Partia Socialdemokrate (PSD) i ka dërguar gjithashtu shkresa deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të nisin procedurat për amendamentimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Përveç Mustafës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala. Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi dhe Shala dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer mes marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
