Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe ajo e Rinisë dhe Fëmijëve, Bora Muzhaqi po zhvillojnë sot një konferencë për bilancin e vitit 2022 dhe pritshmëritë e 2023. Kushi ka përmendur sfidat e këtij viti, ku nënvzoi se një ndër çështjet që po përqendrohet Ministria e Arsimit është transporti, kjo në mënyrë që të ketë më shumë ulje të numrit të klasave kolektive. Ministrja tha edhe se transporti për fëmijët mbetet një sfidë, dhe se po punohet për rimbursimin e biletës.
“Qëllimi ynë është që nxënësit që mësojnë në klasa kolektive të transferohen në klasa më normale. Por nëse nuk ka mundësi transporti ata janë të detyruar të vazhdojnë në shkolla ku nuk kanë mundësi të mira. Ndaj ne po përqendrohemi te transporti”.
Po ashtu Kushi ka renditur arritjet e vitit 2022 për arsimin duke përmendur se po punohet për të rritur ndjeshëm numrin e mësuesve ndihmës për nxënësit me aftësi ndryshe si dhe abetaren e përbashkët unike Shqipëri-Kosovë.
“25 shkolla dhe ambjente sportive rikonstruktuam gjatë vitit 2022. Kemi 79 godina arsimore e kopshte të rindërtuara. Dua të përmend 12 shkollat e reja të Bashkisë së Tiranës që arritën të hapeshin dhe janë investime shumë të mira e me perspektivë për vetë rritjen. Kemi ndërhyrë gjatë vitit 2022 në të gjitha aspektet e cilësisë së shërbimeve arsimore. Kemi patur vëmendje të shtuar për nxënësit me aftësi ndryshe gjatë vitit 2022, kemi rritur ndjeshëm numrin e mësuesve ndihmës që tashmë janë me profil të arsimit special.
Në bashkëpunim me universitetet janë hapur programe të reja për mësues ndihmës për nxënës me aftësi ndryshe. Nuk i përmbushim 100% nevojat por shpresojmë që shumë shpejt mësuesit të jenë të gjithë të arsimuar me shërbim special.
Qëllimi është edhe t’i kualifikojmë e trajnojmë që puna e tyre të jetë më cilësor. Kemi ndërhyrë edhe te punonjësit psiko social që të jetë shërbim i standartizuar. Kemi 880 punonjës psikosocial. Ka ndërgjegjësim të rritur nga nxëenësit dhe prindërit për cilësinë e këtij shërbimi. Jam krenare që këtë vit hapëm shkollën e mesme për nxënësit që nuk dëgjojnë. Edhe abetarja e përbashkët unike është punë e bërë me shumë përkushtim”, tha Kushi.