Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Britanisë për Emigracionin, Robert Jenrick, i cili i quajti shqiptarët kriminelë.
Përmes një postimi në “Twitter”, Xhaçka shkruan se është e tronditur nga gjuha që përdori ministri.
“E tronditur dhe pa fjalë kur dëgjoj një Ministër Shteti përgjegjës për Emigracionin të përdorë një gjuhë të tillë për disa vota më të mjerueshme. ‘Gjeni shqiptarin, ndaloni shqiptarin’! Një linçim verbal i një grupi të tërë etnik në gjuhën që tingëllon sikur ministri po shpall sezonin e hapur për shqiptarët vetëm disa javë pas një komunikate të përbashkët të kryeministrave të Shqipërisë dhe Britanisë të cilët vlerësuan rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve. Një veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër i një demokracie të madhe që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm”, shkruan Xhaçka në Twitter.