Ish-zyrtari i lartë i FBI-së, Charles McGonigal ka tronditur politikën globale me arrestimin e tij. Kjo pasi ndaj tij janë ngritur akuza për shkak se ndihmoi një oligark rus, duke shkelur sanksionet amerikane. Ai bashkëpunoi me një ish-diplomat sovjetik, që punonte si përkthyes për miliaderin rus Oleg Deripaska.
Departamenti i Drejtësisë thotë se McGonigal gjithashtu fshehu nga FBI-ja detajet e një udhëtimi që bëri në Shqipëri në vitin 2017, së bashku me një ish-zyrtar të shërbimeve shqiptare të zbulimit, i cili i kishte dhënë 225 mijë dollarët.
Prokurorët thonë gjithashtu se ai nuk dha emrin e personit që e shoqëronte gjatë udhëtimit, si dhe nuk informoi se qëndrimi i ishte siguruar falas. Departamenti i Drejtësisë thotë se pasi mbërriti në Shqipëri, ai u takua me kryeministrin shqiptar dhe e dekurajoi atë nga dhënia e liçencave për kompani ruse guackë për kërkime për naftë në vend.
Ish-agjenti i FBI duhet të kishte raportuar në FBI kontaktet me zyrtarë të huaj, por prokurorët thonë se ai i pati fshehur këto nga punëdhënësi, ndërsa vazhdonte me udhëtime pune dhe ndërkombëtare që e vendosën në konflikt interesi me detyrat e tij si oficer i zbatimit të ligjit.