Organizata Botërore e Shëndetësisë ka ngritur shqetësimin në lidhje me vdekjet e fëmijëve vitin e kaluar, si pasojë e shurupeve të kontaminuara kundër kollës.
OBSH bën thirrje për ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme dhe të koordinuara për të mbrojtur fëmijët nga ilaçet e kontaminuara.
Në vitin 2022, më shumë se 300 fëmijë, kryesisht të moshës nën 5 vjeçare, humbën jetën si pasojë e dëmtimit akut të veshkave në Gambi, Indonezi dhe Uzbekistan.
Në një deklaratë, OBSH bëri të ditur se vdekjet dyshohet të jenë shkaktuar nga ilaçe të kontaminuara.
Shurupet e kollës, pa recetë, kishin nivele të larta të dietilenit glikolit dhe etilenit glikolit.
“Këta ndotës janë kimikate toksike që përdoren si tretës industrialë dhe mund të jenë fatale edhe nëse merren në sasi të vogla. Ato nuk duhet të gjenden kurrë në ilaçe.”
BSH tha se shtatë vende kishin raportuar se kishin gjetur shurupe të kontaminuara në katër muajt e fundit dhe u bëri thirrje 194 shteteve anëtare në këtë organizatë që të veprojnë menjëherë për të parandaluar vdekjet.
“Meqenëse këto nuk janë incidente të izoluara, OBSH-ja u bën thirrje palëve të përfshira në zinxhirin e furnizimit mjekësor, të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të koordinuara.”