Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu dhe kryetarët e bashkive Mat, Dibër, Bulqizë e Klos, Agron Malaj, Rrahim Spahiu, Lefter Alla dhe Ilmi Hoxha diskutuan sot rreth prioriteteve për vitin 2023.
Prefekti Shehu u ndal në punën dhe përkushtimin e 4 kryebashkiakëve në realizimin e programit të Qeverisë Rama në Qarkun e Dibrës dhe kërkoi nga ana e tyre si dhe nga drejtorët rajonal të vazhdojnë të punojnë me të njëjtin ritëm dhe seriozitet për realizimin e prioriteteve të këtij viti.
Kryetarët e bashkive theksuan se janë të vendosur të punojnë për zhvillimin ekonomik të njësive ku ato janë zgjedhur, duke patur në qendër të vëmendjes infrastrukturën rrugore, ujin e pijshëm, shkollat, pastrimin e mjedisit, shtimin e vëmendjes për turizimin, rehabilitimin e lagjeve në qytetet Burrel, Klos, Bulqizë, Maqellarë e Peshkopi, investimet në bujqësi, qendrat shëndetësore, etj.
Drejtuesit i IKMT-së, Behar Dedolli, theksoi se duhet punuar më shumë për grumbullimin e mbetjeve urbane nga çdo bashki dhe shtoi se bashkitë Dibër, Bulqizë e Klos duhet të marrin shembull nga Bashkia e Matit. Ai nënvizoi se aktualisht mbetet problem menaxhimi në kohë i mbetjeve spitalore.
Dhimitraq Ziu, drejtor i Policisë për Qarkun e Dibrës tha se parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike, garantimi i sigurisë publike, parandalimi i dhunës në familje, garantimi i proçesit zgjedhor dhe mbajtja pastër e rrugëve nacionale janë disa nga prioritetet e Policisë Mat, Bulqizë e Dibër.