Ish-deputeti demokrat Azgan Haklaj ka folur në Report Tv për lidhjet e Sali Berishës me Agron Nezën, i cili përmendet si personi A në dosjen e ish-zyrtarit të FBI-së Chales McGonigal, të cilit i ka dhënë hua 225 mijë euro. Sali Berisha ka mohuar se ka lidhje me Agron Nezën, ndonëse është publikuar një foto mes tyre.
Haklaj thotë se Berisha sa herë që ka probleme thotë se nuk e njeh, por në fakt ai ka pasur lidhje të ngushta me Nezën. Sipas Haklajt, Berisha i kishte premtuar Agron Nezës se do ta bënte pjesë të kabinetit qeveritar.
“Djali i sekretarit të parë në rrethin e Tropojës. Djalë xhaje me Sami Nezën, zv.kryeredaktorin e Rilindjes Demokratike. Zëdhënësi i Jozefina Topallit. Miku i Azem Hajdarit, miku i Sali Berishës.
Sa herë ka probleme thotë nuk e njoh. Ka mbrojtur Berishën, ka qenë pjesë e shërbimit informativ në një periudhë të shkurtër të zotit Berisha. I ka thënë që do jetë pjesë e kabinetit qeveritar”, tha Haklaj në Report Tv.
Haklaj thotë se Neza ka punuar edhe që të vinte në krye të PD-së, Rudina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit, pasi këtë të fundit Neza e kishte mik.
“Agron Neza ka qenë mik i Azem Hajdarit. Mik i Rudinës, ka bërë të gjitha përpjekjet për ta bërë kryetare të PD. Do ndihmonte vajzën e mikut të vet”, u shpreh Haklaj.
Në këtë histori, Haklaj përfshin edhe kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Metën, për të cilin thotë se ka takuar ish-zyrtarin e FBI-së McGonigal.
Pra përveç Ramës, Haklaj thotë se edhe Meta është takuar me McGonigal. Sipas Haklajt, Berisha, Meta e Rama kanë punuar sëbashku për të asgjësuar politikisht Lulzim Bashën.
“A e ka takuar Meta, McGonigal? E ka takuar. A e ka takuar Ruçi, Balla, Gjiknuri? Pyeti publikisht. Mimi Kodheli, biznesmenë, financierë shumë të rëndësishëm të Shqipërisë. Tani heshtin. Do dalin të tjerë. Biznesmenë, politikanë. Meta ka shkuar në SHBA dhe ka shkuar në një shtëpi që e servirin vetë çajin. Ta mohojë Meta”, tha ai.