Deputetët e Partisë Demokratike, të pranishëm këtë të mërkurë në Komisionin e Etikës, kanë refuzuar përjashtimin me 10 ditë nga Kuvendi pasi bllokuan Foltoren. Sipas deputetëve të PD, kërkesa e PS-së është jashtë afateve. Vokshi u fut live në Facebook nga mbledhja e Komisionit të etikës, pasi kjo e fundit po zhvillohet me dyer të mbyllura. Opozita kërkoi që mbledhja të hapet për mediat, pasi sipas saj rregullorja nuk e përcakton që të mbahet me dyer të mbyllura.
“E kuptoj që jeni në siklet sepse ky gjyq që po bëni ju, gjyq politik, edhe sigurimi i shtetit do ua kishte zili për këtë manovrat që ju po mundoheni të gjeni për të përjashtuar 8 deputetë të opozitës. Para 1 jave përjashtuat 5 deputetë. Sot guxoni të thërrisni këtë mbledhje, të përjashtoni 8 deputetë. A ju vjen zor që bëni këtë mbledhje, që ndiqni urdhrat e Edi Ramës. Unë s’do ta merrja përsipër, të isha në vendin tuaj do kisha refuzuar të vija.
Po kërkoni të dënoni opozitën se ka kërkuar fjalën e lirë. Ka bërë kërkesë në bazë të kushtetutës së kuvendit për mocion me debat, kërkesë për interpelancë urgjence për të diskutuar “RamaGate”. Po kërkoni të na ktheni në monizëm. Deputetë janë përfaqësues të popullit dhe përfaqësojnë mijëra qytetarë që e kanë votuar. Asnjë nen i rregullores nuk e parashikon që mbledhja të bëhet me dyer të mbyllura.
Është nul, 48 orë. Kjo mbledhje është nul. S’duhet të na kishit thirrur. Kjo është një turp, vini me urdhër të Ramës për t’i mbyllur gojën opozitës. Parlamentin se lëshojmë pavarësisht përpjekjeve tuaja”, tha Vokshi.
Pjesë nga debati:
Klotilda Bushka: Mbylleni regjistrimin
Vokshi: Se mbyllim, e duam live.
Bushka: E keni bërë modë këtë bllokimin.
Vokshi: Se bën dot të mbyllur, s’jemi në komunizëm. Ka procedurë.
Luan Baçi: Jep pak përgjigje për nenin 75.
Vokshi: Kërkuam të mbyllet dhe të futen mediat. S’jemi në diktaturë.
Bushka: S’është normale.
Vokshi: Normale s’është të bësh mbledhje të mbyllura.
Nallbati: A s’ju bjen turp që ju kurdiseni dhe funksiononi njëlloj siç do “kryegjyqtari” juaj.
Bushka: Çfarë i keni këto epitete, kujdes me etikën.
Nallbati: Po s’jemi në shkollë të më mësosh ti të flas. Kërkoj ta mbyllim këtu këtë komision, mos u bëni qesharak, mbylle këtë e vazhdojmë. Kërkesa juaj është jashtë afateve.