Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, akuzoi nga seli blu se kryeministri Edi Rama në kundërshtim me ligjin, kërkon t’i japë edhe një mandat Skënder Gjinushit si kryetar i Akademisë së Shkencave.
Në një komunikim për mediat, Zhupa tha se edhe pse mandati i tij aktual është në Gjykatë Kushtetuese dhe pret shqyrtimin edhe pse zgjedhja e tij në krye të Akademisë nuk është dekretuar nga Presidenti i Republikës se ishte antiligjore dhe pse është denoncuar publikisht si pazar që ka në mes shitjen e ish-partisë së Gjinushit për interesat politike të Ramës, prapë Kryeministri nuk ndalet.
“Reagimi, si i Partisë Demokratike, ashtu edhe i akademikëve Artan Fuga dhe Apollon Baçe ka qenë i fortë dhe do të vazhdojë. Akademiku Baçe ka ngritur dy pyetje në analizën vjetore të Akademisë së Shkencave në lidhje me kërkesën për ndryshimin e ligjit, të propozuar nga dy deputetë socialist dhe që lejon rizgjedhjen e Gjinushit në krye të institucionit:
1- Shkak për kërkesën e amendimit të ligjit, a u bë shqetësimi vetjak i deputetëve për situatën në Akademi, apo kjo kërkesa u përgatit dhe ju delegua atyre nga kryesia e Akademisë?
2- Nëse kërkesa u delegua nga kryesia e Akademisë, përse ajo nuk u diskutua dhe miratua në asamble, siç e kërkon paragrafi 6 i nenit 11 të ligjit, i cili ngarkon për miratimin dhe ndryshimin e statutit asamblenë, jo kryesinë?
Partia Demokratike e thekson këtë shqetësim dhe paragjykon, me të drejtë, edhe staturën e dy deputetëve propozues të PS, që kanë kërkuar amendimin ligjor.
Kjo për faktin se as z. Petro Koçi dhe as z. Ismet Beqiraj nuk njihen si njerëz të arsimit dhe shkencës së lartë, dhe as kanë lidhje me botën akademike.
Sipas saj, të kthyerit e Akademisë së Shkencave në një aneks të orekseve politike Rama-Gjinushi është një fyerje për akademikët, për Kuvendin dhe publikun në përgjithësi”,-tha Zhupa.