Sasia e tritolit në hotel “Bizanti” që u hodh në erë mëngjesin e së hënës në Sarandë, ishte vendosur në kolonat e brendshme të godinës. Ka dyshime se hoteli është hedhur qëllimisht në erë nga njëri nga pronarët, të cilët janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe aktualisht ndodhen në proces gjyqësor në gjykatën e Sarandës.
Sipas policisë, personi që ka vendosur sasinë e tritolit ka pasur njohuri për shpërthime të kësaj natyre. Hoteli është në pronësi të Spiro Çabirit, por ky i fundit ka konflikt me një shtetas grek Dhimitër Evangjeliu. Për sipërfaqen tokësore ku ndodhej hoteli kishin shfaqur interes firma të ndryshme, me qëllim ndërtimin e një pallati në këtë territor.
Ekspertë xhenierë janë thirrur nga Tirana për të bërë një vlerësim më të saktë të sasisë së tritolit që është vendosur në kolonat e hotelit dhe nxjerrë mekanizmin e vendosjes së tritolit.
