Qeveria gjermane ka vendosur të lehtësojë mbërritjen e të afërmve nga zonat e tërmetit në Turqi tek familjet e tyre në Gjermani, ndërsa për sirianët është pak më e vështirë sepse ata duhet të shkojnë në ambasadat jashtë vendit në Aman, Bejrut apo Stamboll pasi ambasada gjermane në Damask është e mbyllur.
Gjermanët do të anashkalojnë shumë burokracira, duke nisur që nga koha e përpunimit të vizës: Ministria e Jashtme në Berlin njoftoi se kjo gjë tashmë do të realizohet brenda 5 ditëve, nëse paraqitet pasaporta turke dhe të gjitha dokumentet e kërkuara janë të plota. Nga dita e sotme ka nisur lëshimi i vizave në të gjitha përfaqësitë gjermane në Turqi, e për të përballuar fluksin e kërkesave, është shtuar dhe personeli i përfaqësive konsullore.
Njerëzit nga zonat e katastrofës do të mund të qëndrojnë tre muaj tek të afërm të shkallës së parë ose të dytë në Gjermani. Dhënia në formë të përshpejtuar e vizave do të jetë për ata që janë të prekur rëndë nga tërmeti: kur janë të pastrehë apo kanë lëndime që duhen trajtuar.