Trupi i copëtuar i një gruaje u gjet të hënën brenda një thesi në Buttes-Chaumont, një park në verilindje të Parisit, shumë i njohur për shëtitje dhe pikniqe, sipas burimeve gjyqësore. Oficerët e policisë nga shërbimi i parqeve dhe kopshteve të qytetit bënë zbulimin e frikshëm rreth mesditës, tha kryebashkiaku i qarkut të 19-të të kryeqytetit francez, François Dagnaud.
Parku është mbyllur për publikun në mënyrë që të kontrollohet në tërësi. Sipas një burimi pranë hetimit, në thesin që ishte hedhur në shkurre u gjet legeni i një gruaje. Deri më tani nuk ka të dhëna për identitetin e viktimës apo kohën e vdekjes së saj. Rastin e ka marrë policia gjyqësore e Parisit.
Një banore e lagjes, e cila ndodhej jashtë parkut rreth orës 18:00, tha se vajza e saj i kishte thënë të mos shkonte atje.
“Unë nuk mendoj se është hera e parë që zbulohet një trup në Buttes-Chaumont, një trup i copëtuar, ky është tmerri absolut,” komentoi ai.
Parku do të qëndrojë i mbyllur nesër të martën në mënyrë që policia të mund ta kontrollojë atë me ndihmën e qenve të trajnuar posaçërisht, tha kryebashkiaku. Parku Buttes-Chaumont, “mushkëria e gjelbër” e Parisit lindor, u krijua në 1867 nga Napoleoni III. Falë pellgut, ujëvarave dhe shpellës, është ideale për shëtitje dhe stërvitje, ndërsa shumë familje e frekuentojnë fundjavave.