Në komisionin e Ligjeve, deputeti i PS, Pandeli Majko kishte kritika për kreun e Kadastrës, Artan Lame për qarkun e Kukësit. Majko u shpreh se në raportin e dorëzuar për këtë qark, flitet në përgjithësi ndaj duhet pasqyrim sa më i saktë.
Ndër të tjera, pati edhe një batutë për Lamen, për të cilin tha se e respekton dhe e do si mik, por si Drejtor Kadastre, i vjen “ta rrahë”.
“Për zotin Lame kam një respekt shumë të veçantë, dhe është dhe miku im, dhe si mik e dua fort, por si drejtor të Kadastrës është ajo shprehja që kush të do të rreh, dhe më vjen ta rrah faktikisht, kur shoh dhe vlerësoj nga komunikimet situatën e regjistrimit të pronësisë në qarkun Kukës.
Ju flisni në terma të përgjithshme, por në thelb unë e përkrah këtë dhe kam vlerësimin tim për punën e Kadastrës, por tjetër problem regjistrimi prone ka Tirana, tjetër Kukësi, tjetër Malësia e Madhe… Ne jemi të interesuar që analiza të jetë e ndarë edhe sipas kësaj cilësie. Pra unë jam i interesuar për Kukësin, dhe atje problemi bazë nuk është shtëpitë pa leje, por njohja e pronësisë së tokës. Ju akoma nuk i keni bërë letrat e regjistrimit, dhe nuk është regjistruar edhe pronësia komunitare, dhe ky është një problem”, u shpreh Majko.
“Unë e vlerësoj shumë, dhe miqësia jonë nuk vihet në diskutim në këtë drejti, se mund të ma marrësh dhe për ters, por në Kukës ju keni qenë në janar, nga bashkitë e para që morët dhe u krijua Kadastra, unë dua të di për Kukësin çfarë do bëni zotëri, se te ky raport nuk marr vesh asgjë. I kuptoj vështirësitë zoti Lame, por njerëzit duhan të dinë ka ndonjë matricë? Sa duhet të pres? Sepse pa asnjë gjë duket sikur do vdesin dynjaja dhe s’do marrin letrat e pronësisë, ndaj dua mirëkuptimin tuaj edhe pse më parë përmenda fjalën rrahje… për më tepër ju keni bërë operacion dhe nuk ua lejon doktori rrahjen”, përfundoi fjalën me humor Majko.
