Një rrugë të gjatë me sfida ka kaluar Kosova deri në shpalljen e pavarësisë. Pas heqjes së dhunshme të autonomisë së Kosovës brenda ish-Jugosllavisë më 1989, qytetarët shqiptarë që refuzonin t’i nënshtroheshin regjimit serb, filluan një rezistencë paqësore që përfshinte krijimin e institucioneve paralele në shumë fusha.
Ishte fundi i korrikut të vitit 1990, kur Syheda Latifi-Hoxha, gjinekologe nga Prishtina, po kthehej nga pushimi për të mbajtur kujdestarinë në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë, që i ishte caktuar muaj më parë.
Përgjatë vitit paraprak, ajo kishte qenë dëshmitare se si gradualisht kolegët e saj shqiptarë në klinikat e spitalit kryesor të Prishtinës në atë kohë, po largoheshin nga puna.
Mjekëve të komunitetit shqiptar, që përbënte shumicën e popullatës në Kosovë, nga marsi i vitit 1989 kishte filluar t’iu kërkohej të punonin sipas ligjeve të Serbisë.
“Nga një vend ku kryheshin me dhjetëra mijëra lindje, për shkak të dëbimit të vazhdueshëm të mjekëve (shqiptarë), erdhi koha ku pacientet lindnin, a pushonin dy orë apo jo, i merrnin foshnjat e tyre dhe të tmerruara shkonin në shtëpi”, tregon Latifi-Hoxha për Radion Evropa e Lirë.
Ajo kujton se në atë periudhë, nga Serbia ishin sjellë edhe mjekë të tjerë për të udhëhequr klinika të ndryshme.
“Praktikisht, e kemi mbajtur kujdestarinë e fundit më 31 korrik të vitit 1990. [Pas kësaj date] na i mbyllën sallat e lindjes”, tregon gjinekologia.
E mbetur pa punë pas 11 vjetësh në Klinikën e Prishtinës, Latifi-Hoxha shkoi të punonte në një klinikë të Kaçanikut, rreth 60 kilometra larg Prishtinës, ku ende masat e dhunshme të Serbisë nuk kishin nisur të hynin në fuqi.
“Kur hynë masat e dhunshme, edhe nga aty më dëbuan”, tregon doktoresha, e cila mori vendimin e dytë për dëbim nga puna në tetor të vitit 1991.
