Hakerat e “Homeland Justice” kanë paralajmëruar se do të publikojnë të tjera të dhëna sekreta nga institucionet shqiptare. Përmes disa postimeve në rrjetin Telegram, këtë herë ata kanë kërcënuar Presidentin shqiptar Bajram Begaj se do të publikojnë të dhëna sensitive.
Edhe pse nuk dihet se çfarë janë këto të dhëna, janë dy dosje të mbushura me materiale të cilat pritet që të publikohen nga hakerat.
“Nuk mbulohet dielli me shoshë”, shkruajnë në mesazhin e tyre hakerat. Hakerat iranianë kanë marrë përsipër sulmet kibernetike që janë regjistruar në Shqipëri. Ata kanë shpërndarë herë pas here material të Policisë së Shtetit, pamjet filmike të kamerave të sigurisë në pikat kufitare të vendit, përfshirë dhe aeroportin “Nënë Tereza”, duke i shpallur ‘luftë’ shtetit shqiptar.


