Pas 27 vitesh, historia e akuzave për një organizatë kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” është vulosur përfundimisht. Gjykata e Lartë dje vendosi mospranimin e rekursit të prokurorisë për të pandehurit e akuzuar si pjesë e organizatës, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, që i shpalli të pafajshëm.
Vendimi u shqyrtua këtë të martë, ku trupi gjykues vendosi mospranim të rekursit të bërë nga prokuroria e krimeve të rënda, e cila kishte kërkuar rikthim të çështjes për gjykim në shkallë të parë. Vendimi i Gjykatës së Apelit u shpall me 13 shkurt të vitit 2017, kur të pandehurit u liruan nga akuzat të gjithë anëtarët e kësaj bande të dënuar nga të gjitha shkallët e tjera të gjykimit.
Gjykata ka dhënë pafajësi për Orik Shytin, Leart Shytin, Altin Arapin, Dritan Hatën, Gent Cakën, Nikolin e Pasho Novruzajn, Gëzim Gjonin, Roland Shytin dhe Kreshnik Spahiun. Procesi ndaj bandës “Hakmarrja për Drejtësi” ka zgjatur afro tre dekada dhe për shkak të kërkesave të shumta për gjykime e rigjykime një numër i madh gjykatësish janë përfshirë në proces.
Organizata “Hakmarrje për Drejtësi” u shpall publikisht në 13 tetor 1996, por Prokuroria e asokohe pretendoi se ishte krijuar në 1992 në qytetin e Durrësit. Gjykimi ndaj organizatës filloi që në vitin 1998, por u rikthye për gjykim me kërkesë të të akuzuarit kryesor Orik Shyti. Vëllezërit Shyti janë djemtë e Aredin Shytit, një prej figurave të rëndësishme të Ministrisë së Brendshme në diktaturën komuniste dhe në qeverisjen e ish-kryeministrit Fatos Nano në 1991.
Të dënuarit e “Hakmarrjes për Drejtësi” i kanë hedhur poshtë pretendimet dhe tërë akuzat, përfshi vrasje, vjedhje bankash deri edhe rrëmbime. Krimet më të rënda për të cilat akuzohen pjesëtarët e kësaj bande janë vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, vrasja e 4 civilëve nga vendosja e bombës në ish-supermarketin e kompanisë “VEFA” si edhe ekzekutimi në qendër të Tiranës të shoferit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku.
