Këtë të hënë, Shqipëria dhe Mali i Zi do të mbajnë mbledhjen e dytë të përbashkët të qeverive përkatëse. Takimi do të zhvillohet në Podgoricë, në ndërtesën e re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.
Dy kabinetet do të takohen rreth orës 10:30 dhe më pas do të mbajnë seancën e përbashkët. Në orën 13:00 do të nënshkruhet një ndër marrëveshjet më të rëndësishme të këtij takimi, që është ajo për ndërtimin e urës mbi lumin Buna.
Do të nënshkruhen edhe 9 marrëveshje e memorandume në fusha si energjia, peshkimi, mbrojtja e shëndetësia, si dhe marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë-Pulaj.
