Pasi në Podgoricë u firmosën 10 marrëveshje mes qevërisë “Rama 3” me atë të shqiptarit të Malit të Zi, njëra është edhe ura mbi Bunë.
Mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama e ka nisur me këtë projekt, ku teksa tregon një video sesi do të jetë ura, thotë se shkurton distancën Velipojë-Ulqin, dhe që është shtysë e re lirisë së lëvizjes.
“MIRËMËNGJES dhe me projektin e “Urës mbi Bunë”, një projekt i bërë gati për zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili do të bashkëfinancohet nga dy qeveritë, për të lidhur vendet tona duke shkurtuar distancën mes Velipojës e Ulqinit nga 73km në 300m, si edhe duke i dhënë një shtysë të re lirisë së lëvizjes, turizmit dhe ekonomisë ndërkufitare, ju uroj një ditë të bukur”,-shkruan Rama.
Kurse kryeministri Dritan Abazoviç tregoi edhe koston e këtij projekti. “Projekti do të kushtojë rreth 20 milionë euro, nëse ndahet mes dy shteteve nuk është shumë. Pala shqiptare e ka gati projektin e vetë, ndërsa ne duhet ende të punojmë. Është me rëndësi të fillohet sa më shpejt ndërtimi i saj dhe kjo do të sjellë jetësim të krejt kësaj zone”.
